“ReUnited?”, Mou rikthehet tek fitorja. “Të mëdhatë” nuk gabojnë në Kupë

21/09/2016 00:00

Jose Mourinho më në fund do të bëjë disa orë gjumë. “Speciali” duhet të ketë ndjerë një çlirim në minutën e 66 të sfidës Northampton-United, kur topi preku rrjetën pas një gjuajtje nga jashtë zone të Herreras. Deri në atë moment, ndeshja ishte fiksuar në shifrat 1-1 dhe vërshëllimat e tifozëve të pakënaqur të “djajve” mund t’ia bënin jetën të vështirë portugezit.

Pas tri humbjeve radhazi, United gjen fitoren përballë modestëve të Northampton duke fituar 3-1 dhe duke siguruar kalimin në raundin tjetër të Kupës së Ligës.

Carrik shënoi në të 17-n, por Revell barazoi për vendasit 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, pasi nuk gaboi nga pika e bardhë. Rooney më në fund nisi ndeshjen si sulmues, por dështoi të lerë gjurmën e tij në këtë sfidë.

Në pjesën e dytë, u desh futja në lojë e Ibrahimovic e Rashford që “djajtë” të rikthejnë epërsinë. Në të 68-n shënon Herrera, ndërsa 6 minuta më vonë, Rashford përfiton nga një gabim i portierit për 3-1.

Edhe në anën tjetër të Manchesterit ka festë. Guardiola nuk di humbje dhe udhëheq Cityn në raundin tjetër. Në transfertën e Swanseas ata fitojnë 2-1, por kualifikimin do ta festojnë në Uellsin jugor, pasi “qytetarët” nuk priten të kthehen në shtëpi duke qenë se do të përballen me të njëjtën skuadër pas tri ditësh në kampionat.

David Moyes fiton me përmbysje duke gjunjëzuar QPR-në në shtëpinë e këtyre të fundit. Sunderland fiton 2-1 dhe pret shortin për raundin tjetër. Bristol City është skuadra tjetër që mundi Fulhamin 2-1 në Londër.

Crystal Palace në krizë dhe humbja e radhës ndaj Southampton mund t’i kushtojë trajnerit Alan Pardew, i cili mund të shkarkohet. Ata u mundën 2-0 duke i lënë tifozët e tyre tejet të mërzitur pas përfundimit të 90 minutave.

Fitore edhe për West Ham, por kroati Bilic duhet t’i puthë këmbën francezit Dimitri Payet që shënon në minutën 6 të shtesës për t’i siguruar kualifikimin ndaj Accrington.

Tottenham vijon lojën e bukur dhe rezultatet e mira. Djemtë e Pochettinos fitojnë 5-0 në shtëpi dhe presin të qetë shortin. Hull City eliminon skuadrën e Xherdan Shaqirit, Stoke 2-1 duke i vështirësuar shumë punët trajnerit Mark Hughes që rrezikon seriozisht shkarkimin.

Top Channel