Protestat në Sharlot, shefi i policisë mbron agjentët: Scott i armatosur

21/09/2016 00:00

Pas një nate protestash të dhunshme në Sharlot, shefi i policisë u përpoq të hidhte poshtë zërat lidhur me atë çfarë ndodhi me Keith Lamont Scott, babai i 7 fëmijëve i cili u vra nga një polic në parkimin e një kompleksi pallatesh.

Familja e të ndjerit thotë se Scott ishte i paarmatosur dhe po qëndronte i ulur në makinën e tij duke lexuar një libër, ndërsa priste të birin të dilte nga shkolla.

Por shefi i policisë së lokalitetit Sharlot-Meklenburg, Kerr Putney tha se afro-amerikani kishte në duar një armë dhe jo një libër. Ai tha se policët nuk kishin gjetur asnjë libër në vendin e ngjarjes.

Protesta të dhunshme shpërthyen pas këtij incidenti tragjik, me demonstruesit që bllokuan një rrugë ndërshtetërore, ku sulmuan kamionë e i vunë zjarrin përpara se forcat e rendit të përdornin granatat tymuese për të shpërndarë turmën e egërsuar.

Vrasjet e banorëve me ngjyrë nga policia gjatë muajve të fundit kanë shtuar zemërimin në radhët e afro-amerikanëve, një pjesë e të cilëve druhen se në këtë mënyrë po shkelen të drejtat civile.

Sipas përllogaritjeve të “The Guardian”, që nga fillimi i vitit nga plumbat e policisë kanë humbur jetën 193 persona me ngjyrë.

Top Channel