Ngec Reali, vetëm barazim me Villarealin

21/09/2016 00:00

Ndalet Real Madrid. Pas katër fitoresh radhazi, skuadra e Zidane është ndaluar në një barazim 1-1 nga Villareal në “Santiago Bernabeu”. Tifozët madrilenë shpresonin në një tjetër fitore, sidomos pas rikthimit të Ronaldos e Benzemasë, por “nëndetësja e verdhë” doli “kockë e fortë”.

Miqtë futen në ndeshje pa frikë, duke rrezikuar të parët me Nicola Sansone. Reali vuan shumë në pjesën e parë duke mos krijuar asnjë rast të rrezikshëm dhe për pasojë pëson edhe një gol.

Sergio Ramos luan me dorë në zonë dhe gjyqtari bën me shenjë nga pika e bardhë. Bruno nuk gabon dhe shënon për 0-1, duke i çuar të tijtë në pushim me epërsinë e një goli.

Pjesa e dytë nis frikshëm me Realin që gjen menjëherë golin e barazimit. Ramos shlyen gabimin dhe shfrytëzon një kroim të Rodriguez për të çuar topin në rrjetë.

Gareth Bale lëshon një mundësi të mirë shënimi në minutën e 66, por nuk arrin të shënojë. Dominimi i madrilenëve të cilët nuk arrijnë të thyejnë mbrojtjen e Villareal.

Zidane bën ndryshime duke larguar nga fusha Bale e Benzema dhe duke futur Moratën e Lucas për t’i dhënë më shumë ritëm lojës, por as këto zëvendësime nuk ndihmuar skuadrën të merrte tre pikët.

Morata kërcënon në të 83-n, por topi nuk prek rrjetën, ndërsa portieri i miqve i mohon golin edhe Cristiano Ronaldos në të 89-n. Real mbetet në kuotën e 13 pikëve pas pesë javësh kampionat, me 4 fitore e 1 barazim.

Në sfidën tjetër të orës 20:00, Celta Vigo merr fitoren e parë sezone, pasi mundi në shtëpi Gijonin 2-1.

Top Channel