Bajern nuk fal, Shalke konfirmon krizën

21/09/2016 00:00

Katër ndeshje, katër fitore, 14 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar. Bajerni nuk toleron surprizat në Bundesligë.

Bavarezët fituan me lehtësi ndaj një kundërshtari të vështirë, që mbërrinte në Allianz Arena pa e provuar ende shijen e humbjes; Herta e Berlinit.

Kampionët në fuqi të Gjermanisë gjetën golin që në minutën e 16 me anë të Ribery, që shfrytëzoi maksimalisht një top të marrë nga David Alaba.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Alcantara shënoi golin e dyfishimit të rezultatit në minutën e 68, ndërsa Robben katër minuta më vonë e vulosi atë në 3-0.

Ndërkohë, Këlni ka konfirmuar krizën e Shalke 04, që u mund në fushën e saj 1-3. Në katër javë, Shalke nuk ka grumbulluar asnjë pikë dhe ka shënuar vetëm 1 gol e pësuar 8 të tillë. Po me zero pikë është edhe Verder Bremen, që u mposht në fushën e saj në minutat e fundit nga Mainz, ndërsa Augsburgu i rrëmbeu një pikë Leverkusenit në fushën e “Aspirinave”, ku ndeshja u mbyll e thatë, pa gola.

Top Channel