AKU: 7 subjekte me ngarkesë mikrobike mbi normë

21/09/2016 00:00

Gazetarët e Fiksit kërkuan të bashkëpunojnë me Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Degës Tiranë për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave për ngarkesën mikrobike që mban kjo akullore e tregtuar në këto kushte.

Në fazën e parë inspektorët shkuan nëpër subjektet e përzgjedhura për të marrë mostrat në vasketa, nga ku më pas u analizuan dhe  dolën rezultatet në afatin kohor nga 48-72 orë. Në 11 subjekte, 9 të përzgjedhura nga Fiks Fare dhe 2 nga DRAKU Tiranë,  7 prej tyre rezultuan pozitivë ndaj ngarkesës mikrobike .

Në këto 7 subjekte, ngarkesa mikrobike rezultoi me 20-30 fishin mbi normën e lejuar, normë e cila është e përcaktuar në vlerat nga 10-100 kol/gr. Ndaj këtyre subjekteve u bë bllokimi i aktivitetit  prodhim- shitje i produktit të akullores, si dhe  u gjobiten me 300 mijë lekë.

Infeksionisti: Kujdes nga akullorja, të helmon

Meqë akullorja është një produkt shumë i ndjeshëm dhe nëse konsumohet jo në cilësinë e duhur,rreziku për shëndetin është shumë i lartë. Për këtë arsye gazetarët iu drejtuan mjekut infeksionist Prof. Pëllumb Pipero.

Mjeku pohoi për raste të shtuara të pacientëve të intoksikuar nga ushqimet. Sipas tij akullorja dhe embëlsirat në tërësi janë një terren i përshtatshëm për zhvillimin e mikrobeve,  që sjell edhe helmime. Pipero bëri thirrje për kontrolle të vazhdueshme nga ana e  institucioneve përkatëse, por edhe për kujdes nga vetë qytetarët  për vendin dhe mënyrën sesi u shërbehet akullorja.

Top Channel