Strakosha “rikthehet” në portë. Thomasi: Jam gati për kombëtaren

21/09/2016 00:00

“Është emocion i fortë, i bukur që nuk do e harroj kurrë”. Debutimi në Serie A në “San Siro” përballë Milanit nuk përfundoi në mënyrën më të mirë për portierin e kombëtares shqiptare U21, Thomas Strakosha.

Lazio u mund 2-0, por mediat italiane e kanë cilësuar 21-vjeçarin shqiptar si më të mirin e skuadrës, pasi rezultoi vendimtar në 7 raste, duke e shpëtuar ekipin e Inzaghit nga një humbje akoma më e thellë.

“Ishte ndeshja e parë, kisha shumë kohë pa luajtur dhe kam akomaa më shumë për të dhënë. Unë stërvitem fortë dhe kur më kërkon trajneri të luaj të jem gati”, tha Strakosha për Top Channel.

Thomasi është djali i Foto Strakoshës, një prej legjendave të kombëtares shqiptare në vitet ’90. Dhe sigurisht që mbështetja më e madhe dhe kritiku i parë i tij është babai.

“Fola direkt me familjen time para dhe pas ndeshjes. Para ndeshjes, babi më këshilloi të isha i qetë dhe të jepja 100%”, tregon portieri 21-vjeçar.

Përsa i përket kombëtares shqiptare, Thomasi është i vetëdijshëm që për momentin Berisha është portieri i parë. Por ëndrra dhe dëshira e tij është që shumë shpejt Shqipëria të ketë një tjetër Strakoshë në portë.

“Jam krenar që jam pjesë e kombëtares, nëse do luaj apo jo nuk është problem i imi, pasi këtë gjë e vendos trajneri. Unë e di që portieri i parë është Etriti. Unë do vazhdoj të stërvitem dhe kur do të kërkohet të luaj të jem gati”, tha Strakosha.

Top Channel