Dosja “Omnix”, Ministria heton një vendim të Gjykatës së Durrësit

21/09/2016 00:00

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar hapjen e një hetimi administrativ për vendimin e Gjykatës së Durrësit që i njohu pronën ku do të ndërtohej resorti turistik i Lalzit një familjeje nga durrësi.

Bëhet fjalë për vendin ku kompania “Omnix Albania” do të ndërtonte një kompleks gjigand turistik më vlerë 450 milionë dollarë. Deri para 6 muajsh, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit.

Por më datë 25 mars të këtij viti, Gjykata e Durrësit, përkatësisht gjykatësja Johana Qeleshi ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë familjes Seçuni nga Durrësi.

Ky vendim duket se përbën një pikë të fortë kthese për rrjedhën e ngjarjeve dhe fatin e projektit më të madh turistik të parashikuar ndonjëhjerë në Shqipëri, pasi një ditë më parë “Omnix” deklaroi largimin nga vendi ynë.

Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor do të hetojë të gjitha procedurat ligjore të ndjekura nga gjykatësja Qeleshi, për të parë nëse ky vendim është marrë konform ligjit apo jo.

Po kështu, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë do të kërkojnë zyrtarisht informacion nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për të parë historikun e kësaj prone.

Top Channel