Teksa fushata për zgjedhjet lokale të 2 tetorit në Bosnje e Hercegovinë ka nisur, fakte shokuese kanë dalë në dritë, të cilat lidhin eksponentë të politikës me ata të krimit të organizuar.

Sipas agjencive të lajmeve “OCCRP” dhe “BIRN”, rreth 50 kandidatë, fytyrat e të cilëve shfaqen duke qeshur në posterat e vendosur nëpër qytete, janë persona të akuzuar, dënuar, apo nën hetim për akuza që variojnë nga korrupsioni deri tek krimet e luftës.

Akuza të tjera që rëndojnë ndaj kandidatëve, të zbuluara nga agjencitë e lajmeve, përfshijnë pastrim parash, abuzim seksual dhe ushtrim dhune. Mes 140 garuesve, 10 prej tyre janë dënuar për akuza të tilla.

Të jesh hetuar apo dënuar për krime nuk të pengon në Bosnje e Hercegovinë të kandidosh, përsa kohë të dyshuarit apo të pandehurit janë liruar. Përjashtim përbëjnë ata që akuzohen nga Gjykata e Hagës.

Shembulli më i mirë për këtë është lordi boshnjak i luftës, Fikret Abdiç, kandidati i Partisë së Punës për kryetar bashkie në Velika Kladusa. Ai u dënua nga Gjykata e Lartë e Kroacisë për krime lufte, por u lirua në vitin 2012 pasi kaloi rreth një dekadë në burg.

Abdiç ka mbështetje të fortë në Velika Kladusa dhe në fshatrat përreth, në veri-perëndim të vendit. gjatë luftës së viteve ‘90, ai kundërshtoi qeverinë e Republikës së Bosnje e Hercegovinës dhe krijoi Provincën e përkohshme Autonome të Bosnjes Perëndimore, duke u shpallur luftë boshnjakëve të tjerë.

Abdiç dhe mbështetësit e tij ngritën gjithashtu kampe burgimi, në të cilat thuhet se janë kryer krime të rënda lufte ndaj të burgosurve të ushtrisë boshnjake.

Top Channel