“Libanezi”, Meta: Më shumë për sigurinë e bizneseve

21/09/2016 00:00

Largimi nga Shqipëria i investitorit të dhunuar libanez, për kryetarin e Kuvendit Ilir Meta është një rast që tregon se duhen bërë përpjekje shumë të mëdha për të krijuar klimë besimi te bizneset për sigurinë fizike dhe juridike. Për këtë arsye, kreu i Kuvendit e konsideroi shumë të rëndësishme zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Shpresojmë që të jetë i fundit ky rast mjaft i dhimbshëm i cënimit të jetës dhe sigurisë të një investitori të huaj. Është me shumë rëndësi që përgjegjësit e këtij akti kriminal të vihen përpara drejtësisë”, deklaroi Meta.

Por nga Shkodra, ku ishte për fushatën zgjedhore brenda partisë, Meta iu rikthye çështjes së kanabisit, e cila u shndërrua në një replikë të dielën me ministrin e Brendshëm. Por këtë herë, një ton kritik u duk se kishte edhe në adresë të prokurorisë.

“E kam thënë që është e rëndësishme të bashkohen forcat dhe përpjekjet për t’u përballur sa më seriozisht me këtë fenomen, por edhe për të mos e bërë një debat ekstrem politik dhe këtu natyrisht dhe përveç policisë edhe vetë prokuroria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për të çuar deri në fund çështje të caktuara”, tha Meta.

Aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndodhet një raport i detajuar i Shërbimit Informativ mbi vatrat e kultivimit të kanabsit dhe personat e implikuar.

Top Channel