Reforma zgjedhore, Meta kërkon përshpejtim: Detyrim ndaj te huajve

21/09/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i rikujtoi klasës politike në vend se reforma zgjedhore duhet të përshpejtohet.

“Pavarësisht progresit substancial në menaxhimin dhe organizimin e proceseve zgjedhore në vendin tonë, jemi të ndërgjegjshëm për sfidat me të cilat përballemi edhe ne në drejtim të garantimit të pavarësisë dhe integritetit të tërë procesit zgjedhor dhe patjetër të institucioneve që e administrojnë atë. Këto sfida lidhen ngushtë me administrimin e proceseve zgjedhore, me stabilitetin e legjislacionit zgjedhor, me mënyrën si përmbushen rekomandimet e OSBE/ODIHR, me transparencën dhe me financimin e fushatave zgjedhore, dhe patjetër në kuadrin e këtij shekulli dixhital, edhe me zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja”, deklaroi Meta.

Duke kërkuar më shumë pavarësi për KQZ-në, Meta deklaroi se mazhoranca duhet të angazhohet për zgjedhje të lira, si një detyrim ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Nga ana tjetër, janë edhe një detyrim përballë partnerëve tanë evropianë, ndërkohë që Shqipëria avancon në axhendën e saj drejt çeljes së negociatave me Unionin Europian. Si kryetar i Kuvendit dua të vlerësoj se përgjegjshmëria për një proces zgjedhor sa më transparent e demokratik të standardeve më të larta europiane është e përbashkët, jo vetëm e institucioneve dhe trupave zgjedhore, por e gjithë klasës politike, e grupeve të interesit, e shoqërisë civile dhe e mbarë shoqërisë sonë”, tha Meta.

Në konferencën e Shoqatës së Trupave Zgjedhorë Europianë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri kërkuan respektimin e ligjit të dekriminalizimit.

“Me një votë unanime ju votuat ligjin e dekriminalizimit. Në rast se do e zbatoni atë siç duhet, ky ligj do të rrisë patjetër besimin e shqiptarëve tek institucionet e vendit”, deklaroi Brajan Williams, përfaqësues i UNDP-së.

Në fjalën e tij, kryetari në detyrë i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton tha se zgjedhjet e pjesshme më të fundit për kryetar bashkie treguan edhe një herë se sa e nevojshme është që të ndërmerret një reformë zgjedhore e plotë.

“Respektimi i të drejtave civile dhe politike të zgjedhësve dhe kandidatëve, administrimi i paanshëm i zgjedhjeve, aksesi i barabartë dhe mbulimi i ekuilibruar nga media, listat e sakta të zgjedhësve, numërimi dhe llogaritja e ndershme e rezultateve, pjesëmarrja e barabartë e grave në proceset zgjedhore, si dhe krijimi i mjedisi të lirë dhe të ndershëm për mbajtjen e fushatave zgjedhore, janë ndër parimet kyçe që synojmë të gjithë”, deklaroi Wilton.

Top Channel