Siguria e bankave, kërkohet forcimi i kritereve për policitë private

21/09/2016 00:00

Ndonëse gjatë 8 muajve të parë të 2016-s rastet e grabitjeve të bankave dhe mjeteve që transportojnë vlera monetare kanë qenë të shumta, niveli i sigurisë në këto institucione vijon të lërë për të dëshiruar.

“Nisur edhe nga grabitja e fundit, mendojmë se bankat duhet të kenë një bashkëpunim më të mirë me SHPSF-të në zbatim të verifikimit të procedurave të sinjalit të alarmit si dhe në përcaktimin e detajuar të këtyre procedurave. Kemi vënë re se automjetet e blinduara janë jashtë kushteve teknike për të udhëtuar, e jo më për të transportuar vlera monetare të mëdha apo edhe efektivët të cilët ruajnë këto vlera”, shprehet Ilir Mollaymeri, Banka e Shqipërisë.

Ligji për masat shtesë të sigurisë publike që pritet të miratohet këtë të enjte në parlament, përcakton kritere të forta për sigurinë në banka.

“Miratimi i ligjit për masa shtesë të sigurisë do ta kalojë në një stad më të lartë sigurinë e bankave, por edhe të institucioneve të tjera të rëndësishme. Gjej rastin të them se të dy rastet e fundit të zbuluara janë falë sistemit të pamjeve filmike të marra nga sistemi i kamerave”, shprehet Gjovalin Loka, drejtor i rendit publik.

Në forumin e pestë të sigurisë fizike të bankave u ngrit si problematike edhe neglizhenca ndaj udhëzimeve nga shoqëritë e ruajtjes fizike.

Top Channel