Komisioni i Helsinkit: KLSH zbulon dëmet, por nuk vepron për dënimin e shkaktarëve

21/09/2016 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kallëzuar se përmes shpërdorimit të detyrës shkeljes së barazisë në tendera dhe falsifikimit i kanë shkaktuar shtetit dëmin prej më shumë se tre miliardë lekë, e megjithatë nuk ka këmbëngulur deri në fund në pretendimet e veta.

Ky shqetësim ngrihet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në përfundim të një studimi për 2014 ndaj kallëzimeve të KLSH konkludoi se për të gjitha denoncime të pushuara nga akuza, KLSH nuk i është drejtuar gjykatës për të kërkuar rihapje të dosjeve.

“Në këtë kategori subjektesh të denoncuara nga KLSH-ja nuk ka pasur kallëzimi ndaj zyrtarëve publik apo funksionarëve të nivelit të lartë. Gjatë vitit 2014, KLSH nuk ka kundërshtuar në asnjë rast vendimet e Prokurorisë për pushim çështje apo për mos fillim procedimi”, shprehet Erida Skëndaj, drejtore egzekutive e KSHH.

Për këtë arsye, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron Kuvendit që në kuadër të kontrollit parlamentar  të ndalet në impaktin e këtyre denoncimeve që i dërgohen Prokurorisë.

“Rezulton i njëjti pasivitet, sa i takon i takon ushtrimit të së drejtës së ankimit ndaj vendimeve të Prokurorisë për mosfillim procedimi ose për pushim të çështjes dhe nga institucione të tjera kontrolli, si ILDKP”, thotë Skëndaj.

Por kreu i KLSH, Bujar Leskaj, i kontaktuar në telefon nga Top Channel, tha se konstatimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit është i pavërtetë pasi vendimet e pushimit të hetimeve i janë përcjellë nga ky institucion organit qendror të akuzës.

Top Channel