Mbështetja për bujqësinë, Rama në Elbasan: Qeveria do të garantojë kreditë

21/09/2016 00:00

Turi i kryeministrit për prezantimin e programit për bujqësinë u ndal në Elbasan, ku Edi Rama ftoi fermerët të përfitojnë nga Fondi Kombëtar i Garancisë, duke i nxitur që të hartojnë projekte investimi që mbështeten nga bankat.

“Ne kemi ndërtuar një Fond Kombëtar Garancie, që me paratë e shtetit shërben si mbështetje për fermerët që marrin në banka kredi, të cilat i garanton qeveria. Pra, lehtësojmë jashtëzakonisht raportin e fermerit me bankën dhe i japim mundësi fermerit të kreditohet me kushte shumë të favorshme. Potencialisht, mund të thithim deri në 300 milionë euro për ju nga bankat në tre vitet e ardhshme”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se qeveria në bashkëpunim me bashkitë po i jep zgjidhje edhe problematikës me titujt e pronësisë për tokat bujqësore.

“Bashkitë tona po bëjnë regjistrimin e titujve të pronësisë. Dhe kemi lehtësuar maksimalisht regjistrimin, se më parë ishte që duhej të merrje topografin, ta paguaje, pastaj shko në hipotekë, duhej ta paguaje edhe atë… Ne e kemi fare të thjeshtë, secili duhej të shkojë në njësinë administrative dhe vetëm të dorëzojë certifikatën familjare dhe aktin e marrjes në përdorim të tokës mbi bazë të ligjit 7501”, shtoi kryeministri.
 
Gjatë një vizite në Byshek, pikë atraksioni turistik pranë qytetit të Elbasanit, kryeministri Rama kërkoi që edhe fshati të konceptohet pjesë e qytetit: “Ne e kemi gati si pasojë e çfarë kemi trashëguar dhe nga një dobësi që ishte me njësitë e shpartalluara në 400 copa. Do e kthejmë tani në një burim force ekonomike e sociale. Plus që janë zona që kanë një vlerë të shtuar turizmi, nëse ne krijojmë kushtet që të kthehen në pika turistike të qytetit”.
 
I shoqëruar nga ministri  Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kreu i qeverisë vizitoi edhe urgjencën mjekësore të Elbasanit, ndërsa pa nga afër parkun e Elbasanit, pjesë e programit të Rilindjes Urbane.

Top Channel