Francë, dyshime mbi shëndetin e ish-presidentit Chirac. Ish-ministrja: Ka vdekur

21/09/2016 00:00

Në Francë është shtuar frika mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Jacques Chirac, pas raportimeve të pakonfirmuara për vdekjen e tij në një spital të Parisit, ku është shtruar prej 3 ditësh për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Christine Boutin, politikane e lartë e Partisë Kristian-Demokrate dhe ish-ministre, njoftoi përmes “Twitter”-it se Chirac ka ndërruar jetë këtë të martë në moshën 83-vjeçare. Statusi i saj ishte i shkurtër, teksa shkruante “Mort de Chirac”, që nënkupton “Chirac ka vdekur”.

Chirac, i cili ka qenë president i Francës në vitet 1995-2007, është dërguar në spital gjatë fundjavës, por familja e tij ka përgënjeshtruar menjëherë lajmin për vdekjen, duke thënë se ai është ende “nën mbikëqyrjen e mjekëve”, ndërsa kanë kërkuar ruajtjen e qetësisë dhe “respektimim e privatësisë”.

Gjatë udhëheqjes së tij, Chirac ka kundërshtuar ashpër luftën në Irak, duke e vënë atë në pozicione kontradiktore me ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe ish-presidentin amerikan George W. Bush.

Ai i ka mbijetuar një atentati në vitin 2002, kur një person i armatosur neonazist hapi zjarr ndaj autokolonës presidenciale gjatë paradës së zhvilluar në Ditën e Bastijës, festë kombëtare në Francë.

Në momentin që Chirac është shtruar në spital, dhëndri i tij Frederic Salat-Baroux tha se trajtimi i 83-vjeçarit pritet të zgjasë disa ditë.

Top Channel