La Liga, në mbrëmje “klasikja e vogël” Barça-Atletico. Enrique vlerëson kundërshtarin

21/09/2016 00:00

Kampionati spanjoll rezervon mbrëmjen e kësaj të mërkure një supersfidë, apo “klasiken” e dytë të La Ligës, pas asaj mes “merengues”-ve e “blaugrana”-ve, e konkretisht Barcelona-Atletico Madrid.

Skuadra katalanase do të kërkojë ta fitojë këtë përballje ndaj “Los Colchoneros”, të cilët kohët e fundit kanë qenë një pengesë tej mase e vështirë për t’u kaluar prej saj. Vet trajneri Luis Enrique theksoi se, futbollistët e tij duhet të bëjnë sa më pak gabime në ndeshjen me Atleticon.

“Për të fituar duhet të bëjmë mirë shumë gjëra dhe sa më pak gabime. Është logjike që synojmë të bëjmë lojën tonë dhe të kemi avantazhin në zotërimin e topit, sepse e dimë që nuk do të kemi shumë hapësirë. Duhet të bëjmë lojën më të mirë, nëse duam suksesin ndaj Atleticos, pasi në vitet e fundit nuk ka qenë e lehtë përballja me këtë skuadër. Atletico është rivali ynë i drejtpërdrejtë për titullin kampion”, ka thënë Luis Enrique.

Barcelona, që pësoi një humbje shokuese me Alaves në “Camp Nou”, vjen në këtë ndeshje me Atleticon pas dy fitoreve me goleada; atë 7-0 ndaj Celtic në Ligën e Kampioneve dhe 5-1 ndaj Leganes në kampionat, fundjavën e kaluar. Në 8 ndeshjet e fundit që Barcelona e Atletico kanë zhvilluar në “Camp Nou”, 5 i kanë fituar katalanasit dhe 3 kanë përfunduar në barazim.

Barcelona gjendet për momentin në vendin e tretë në klasifikimin e kampionatit spanjoll me 9 pikë, ndërsa Atletico është e pesta me 8 pikë.

Top Channel