“League Cup”, Fabregas bëhet hero në kualifikimin e Chelseat

21/09/2016 00:00

Chelsea arriti një kualifikim drithërues në Kupën e Ligës në Angli, pasi mundi Leicesterin 4-2 pas kohëve shtesë. Shpëtimtari i “bluve” të Londrës dhe trajnerit Conte u bë pikërisht Cesc Fabregas, autor i dy golave që vendosën fatin e kësaj sfide.

Kampionët e Anglisë e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme këtë përballje, teksa siguruan një avantazh të dyfishtë në pjesën e parë. Ishte japonezi Okazaki, ai që shënoi të dy golat për “dhelprat” e drejtuar nga Ranieri, pasi shfrytëzoi në maksimum mungesën e përqëndrimit në mbrojtjen e Chelseat.

Këta të fundit shkurtuan diferencën në 2-1 në minutat e fundit të pjesës së parë me anë të Cahill, një gol ky që rriti moralin e “bluve” londinezë, të cilët barazuan rezultatin në 2-2 me fillimin e 45 minutave të dyta, pas një gjuajtje të fortë të Azpilicuetës nga jashtë zone.

Rezultati nuk ndryshoi më, ndërkohë që Leicester e pa veten në inferioritet numerik në minutën e 89, pas kartonit të kuq të marrë nga Vasilevski. Sfida shkoi në kohë shtesë dhe Fabregas, në harkun e 3 minutave në fillimin e saj, i ndëshkoi dy herë kampionët anglezë duke i dhënë fitoren Chelseat pikërisht në stadiumin “King Power”.

Top Channel