Joshet De Biasi, Dinamo e Zagrebit kërkon teknikun italian

21/09/2016 00:00

Nuk është hera e parë e me të gjitha gjasat nuk do të jetë e fundit që një skuadër e cila garon në Ligën e Kampioneve, kërkon trajnerin e kombëtares shqiptare Gianni De Biasi. Kuotat e ngritura dukshëm të italo-shqiptarit në tregun e pankinave sidomos pas Europianit 2016, kanë shtyre edhe Dinamon e Zagrebit që të mendojë për teknikun nga Sarmede.

Klubi më i madh i futbollit dalmat ka mbetur pa trajner pas dorëheqjes së trajnerit të njohur kroat Zlatko Kranjçar dhe me një sezon vetëm në startin e tij dhe impenjime të shumëfishta ku fokusi është Liga e Kampioneve, nevoja për trajner është emergjente. Tre humbje të njëpasnjëshme gjatë këtij muaji, nga të cilat 2 në kampionat, me Osijekun 0-1 dhe Rijekën 5-2, dhe humbja në Ligën e Kampionëve 0-3 me Lionin kanë bërë që Kranjçar të mos vazhdojë më drejtimin e skuadrës.

Menjëherë drejtuesit e klubit janë vënë në kërkim të një zëvendësuesi dhe pistat e kërkimit janë brenda Ballkanit. Mbetet për tu mësuar sesi ka reaguar De Biasi ndaj ofertës së ekipit ballkanas, por duket jo shumë e mundur lëvizja e tij në kampionatin kroat, sidomos në startin e Eliminatoreve për Botërorin 2018.

Hipoteza më e mundshme do të ishte fundi i sezonit, kur De Biasi do të kishte edhe një panoramë më të plotë të ecurisë së kuqezinjve në eliminatoret Rusi 2018, si dhe krahasimi me çekun e majmë që i jep FSHF, dhe ajo që i garantojnë në Zagreb.

Top Channel