Tony Blair mbyll firmat e tij të konsulencës. Tashmë, aktivitete jofitimprurëse

21/09/2016 00:00

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka vendosur të mbyllë fimat e tij të konsulencës, të cilat i kanë siguruar miliona të ardhura, ndërsa do të përqëndrohet tani e tutje në punën jofitimprurëse. Në një deklaratë të zyrës së Blairit thuhet se do të mbyllen firmat e tij “Tony Blair Associates” dhe strukturat mbështetëse të biznesit “Firerush” dhe “Windrush”.

Në pjesën më të madhe të kohës, 80 për qind, nga sot e tutje Tony Blair do të përqëndrohet në punën pa pagesë dhe pa përfitime.

Që kur u largua nga posti i kryeministrit të Britanisë në vitin 2007, Blair ngriti shumë shpejt një “perandori” komplekse konsulence, e cila punonte për një sërë klientësh nga Kuvajti, Vietnami, Peruja, Kolumbia, për Fondin e Investimeve Abu Dhabi, e deri për qeveri autoritare si jo e Kazakistanit.

Tony Blair zyrtarisht punon si këshilltar edhe i qeverisë aktuale shqiptare, pa pagesë, si dhe për qeverinë e Serbisë. Bizneset e tij kanë punësuar rreth 200 vetë, në 20 vende të botës.

Blair do të vazhdojë të punojë për klientë privatë dhe do të mbajë fjalime për klientë e koorporata, për të cilat në të shkuarën ai ka pasur një pagesë prej 237 mijë stërlinash për çdo fjalim.

Një zëdhënës i Blairit thotë se ristrukturimi i tij nuk do të thotë se ai do t’i rikthehet politikës britanike të ditës, edhe pse ai mbetet kyeministri më i suksesshëm laburist, duke fituar 3 herë radhazi zgjedhjet e përgjithshme.

Top Channel