SHBA-të tregojnë forcën ndaj Veriut. Avionë bombardues mbi Korenë e Jugut

21/09/2016 00:00

Dy avionë bombardues supersonikë të Shteteve të Bashkuara fluturuan mbi Korenë e Jugut, përpara se njëri prej tyre të ulej në një bazë ajrore 40 km larg kryeqytetit Seul.

Ky është i dyti fluturim i këtij lloji, që kur Koreja e Veriut kreu në 9 shtator testin e pestë e më të fuqishmin bërthamor deri më tani.

Në deklaratën e lëshuar nga Komanda e Forcave të Armatosura amerikane në Kore thuhet se, ngritja në ajër e avionëve strategjikë “B-1B Lancer” ishte një demonstrim i hapur force dhe një angazhim për ruajtjen e sigurisë në gadishull e në mbarë rajonin.

Fluturimi i dy avionëve bombardues “B-1B” më 13 shtator, nën shoqërimin e avionëve luftarakë amerikanë e atyre koreano-jugor, ishte dhe ai një “shoë” solidariteti me Seulin e një sinjal për Veriun komunist.

Nga sa raporton CNN, dy vendet aleate po përgatiten të simulojnë muajin e ardhshëm një sulm ndaj një centrali bërthamor. Njoftimi zyrtar sqaron se, manovrat ushtarake nuk i referohen në mënyrë të veçantë Penianit, por konteksti i tij është mjaft i qartë.

Vendimi merret më pak se dy javë, pasi shteti më i izoluar në botë bëri publik testimin e një koke raketore me mbushje atomike. Trupat amerikane dhe ato koreano-jugore do të stërviten gjithashtu edhe për hapat që duhen ndërmarrë në rastin e një sulmi të befasishëm me raketa.

Top Channel