SHBA, protesta në Charlotte për vrasjen e një personi me ngjyrë

21/09/2016 00:00

Protesta masive ka shkaktuar vrasja e një personi me ngjyrë nga policia në Charlotte të Karolinës së Veriut, gjatë të cilave kanë mbetur të plagosur edhe 12 policë.

Demonstruesit shkatërruan çdo makinë policie përreth vendit ku ishin mbledhur, një bllok apartamentesh ku edhe u vra personi me ngjyrë. Sipas njoftimit të Departamentit të Policisë së Charlotte-Meckelnburg, një oficer është qëlluar në fytyrë me gur.

Më herët gjatë së martës, Keith Lamont Scott, një 43-vjeçar, ishte qëlluar me armë zjarri nga një oficer me ngjyrë dhe ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra. Policia deklaroi se ai zotëronte një armë dhe përbënte një “kërcënim vdekjeprurës të pashmangshëm”, por të afërm të viktimës i thanë medieve vendase se ai kishte në dorë një libër dhe jo një armë.

Protestues të irrituar për incidentin bllokuan rrugët, ndërsa policia përdori gazin lotsjellës për t’i shpërndarë. Trazirat erdhën vetëm një ditë pasi policia në qytetin Tulsa të Oklahomës njoftoi se personi me ngjyrë që kishin vrarë të premten ishte i paarmatosur. Qindra njerëz protestuan edhe atje, jashtë selisë së policisë.

Terence Crutcher ishte duke ecur me duart jashtë xhepave, kur u qëllua nga policia, siç tregojnë edhe pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth zonës. Në Charlotte, oficerët ishin vënë në kërkim të një të dyshuari në një bllok apartamentesh, kur Scott u qëllua e më pas ndërroi jetë, sipas zëdhënëses së policisë, Keith Trietley. Sipas saj, policët kishin vënë re se Scott doli nga një automjet me një armë në dorë, përpara se të hynte sërish brenda, ndaj dhe policia hapi zjarr pasi e konsideruan atë si kërcënim.

Ai nuk ishte i dyshuari që policia po kërkonte në ato momente, gjithsesi. Brentley Vinson, oficeri që qëlloi Scottin, është pezulluar nga detyra si pjesë e protokollit. Ndërsa një grua, e cila pretendon se është vajza e Scottit, ka hedhur poshtë versionin e policisë së Charlotte. Ajo thotë se Scott ishte i paarmatosur dhe po lexonte teksa priste autobusin e shkollës së të birit, dhe u qëllua me paralizues përpara se të qëllohej 4 herë me armë zjarri. Sipas saj, viktima ishte edhe me probleme mendore.

Top Channel