Akuzat e SHBA-ve, Moska mohon përfshirjen në sulmin ndaj autokolonës së ndihmave

21/09/2016 00:00

Moska mohon me forcë përfshirjen e saj, por edhe atë të avionëve sirianë, e pretendon se ndaj kamionëve është hapur zjarr nga toka dhe jo nga ajri.

“Nuk ka asnjë krater predhe, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes, – dhe pjesa e jashtme e automjeteve nuk ka dëme që të përputhen me ato të shkaktuara prej bombave të lëshuara nga ajri”.

Reagim pati edhe nga Ministria e Jashtme ruse, zëdhënësja e së cilës tha se, Qeveria amerikane nuk ka asnjë provë në mbështetje të deklaratave të saj.

Më herët, Shtetet e Bashkuara bënë haptazi përgjegjëse Rusinë për sulmin vdekjeprurës ndaj karvanit me ndihma të OKB-së pranë qytetit sirian të Aleppos. Sipas zyrtarëve amerikanë, dy avionë rusë janë autorët e goditjes, që Shtëpia e Bardhë e cilësoi “një tragjedi të jashtëzakonshme njerëzore”.

“Të gjitha informacionet tona tregojnë qartazi se ky ishte sulm ajror. Që do të thotë se, në këtë mes, përgjegjësine nuk mund ta kenë veçse dy palë: ose regjimi sirian, ose qeveria ruse. Për çdo rast, ne konsiderojmë këtë të fundit përgjegjëse për bombardime në hapësiren ajrore të Sirisë, duke pasur parasysh angazhimin që mori për fundin e luftimeve”, tha Ben Rhodes, zv.këshilltar sigurie në Shtëpinë e Bardhë.

Mbrëmjen e së martës, megjithatë, situata u rëndua me sulmin ajror ndaj një qendre mjekësore, edhe kjo në afërsi të Aleppos, duke vrarë 4 mjekë të Unionit të Kujdesit Mjekësor dhe Organizatave të Ndihmës, “UOSSM”.

Top Channel