Importi i mbetjeve, LSI: Rol monitorues shoqërisë civile

21/09/2016 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar një amendament për ligjin e importit të mbetjeve. Në amendament, LSI kërkon shtimin edhe të një pike ku kërkohet t’i jepet mundësi shoqërisë civile të ketë rol në monitorimin e këtij procesi.

“Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi.  Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim”, është pika 3 e propozuar nga LSI-ja.

Ky amendament vlerësohet nga LSI-ja se krijon dhe një raport të ri bashkëpunimi me shoqërinë civile, i cili shëndosh raportet mes parlamentit, ekzekutivit dhe opinionit publik nga ana tjetër.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese e miratoi ligjin për lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme në vend një ditë më parë, me vota nga të dyja palët, megjithëse disa deputetë të opozitës abstenuan.

Nismëtari i ligjit, Eduart Shalsi tha se janë bërë ndryshime të rëndësishme nga propozimi fillestar. Kryesori është përcaktimi i qartë që mbetjet nuk do të përdoren për djegie. Do të ketë një listë të gjelbër që nuk përfshin mbetjet organike.

Top Channel