F1, Alonso: Objektivi për vitin 2017? Titulli kampion

20/09/2016 00:00

Fernando Alonso, edhe pse ka 1 vit e gjysmë që nuk ngjitet në podium, mbetet optimist aq sa të thotë se objektivi i tij për sezonin e ardhshëm është që të luftojë për titullin kampion.

“Gjatë dy viteve të fundit i them vetes që gjithçka do të ndryshojë në vitin 2017. Makinat do të jenë më të shpejta dhe Formula 1 do të jetë më interesante për pilotët. Objektivi im është që të luftoj për titullin”, tha piloti spanjoll i McLaren për mediat e vendit të tij.

Dy herë kampioni i botës tha se mund të vazhdojë edhe disa vite në Formula 1, por gjithçka do të varet nga motivimi që do i japë kjo kategori.

“Jam 35 vjeç dhe mund të vazhdoj ende, por është çështje motivimi dhe vullneti. Të shohim se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm. Tani makinat janë më pak tërheqëse. Më të ngadalta. Formula 1 përpiqet të kursejë gomat, frenat dhe karburantin. Nëse do të vazhdohet me kursime, do të mendoj nëse kam ende dëshirë për të vazhduar”, u shpreh Alonso.

Top Channel