Kosovë, Delawie në tryezën e OEAK: Korrupsioni gjymton ekonominë

20/09/2016 00:00

Korrupsioni paraqet një pengesë të madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit, prish sistemin politik, institucionet dhe udhëheqësinë e tyre dhe nxit destabilitetin. Korrupsioni dëmton gjithashtu edhe sigurinë.

Kështu është shprehur gjatë kësaj të marte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Gregory Delawie, në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane me temë “Etika në Biznes dhe Korrupsioni”.

Delawie tha se luftimi i korrupsionit është diçka që i kushton shumë vëmendje dhe është një ndër prioritetet kyçe të qeverisë amerikane.

Ai deklaroi gjithashtu se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm po i nxisin udhëheqësit kosovarë për të ndërmarrë hapa të fuqishëm kundër korrupsionit, por edhe do të investojnë parà për ta ndihmuar Kosovën që të zhvillojë aftësitë dhe kapacitetet e saj për ta luftuar këtë “murtajë”.

Delawie tregoi se në fushën e drejtësisë, SHBA-të kanë trajnuar 1.200 profesionistë dhe se qeveria amerikane do të shpenzojë mbi 12 milionë dollarë ndihmë zhvillimore dhe ekspertizë të përqendruar në këtë fushë.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se korrupsioni në vend e pamundëson tërheqjen e investimeve të huaja dhe shtimin e vendeve të reja të punës.

Në këtë tryezë ishte i pranishëm edhe Besim Kelmendi, prokuror i Prokurorisë  Speciale, i cili tha se në rast se do të respektohej Kodi Etik nga ana e bizneseve, nuk do të kishin nevojë fare për të takuar prokurorët. Ai ka treguar edhe mënyrën ligjore sesi bizneset mund të arrijnë të parandalojnë korrupsionin.

Top Channel