Miratohen ligjet e “Drejtësisë”. PD-ja braktisi komisionin

20/09/2016 00:00

Mazhoranca përfundoi e vetme miratimin e ligjit për organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Partia Demokratike nuk u kthye në komision, pas largimit të hënën, me arsyetimin se me formulimet e reja në ligj, mazhoranca zhbëri konsensusin për ndryshimet kushtetuese dhe iu rikthye qëllimit të kapjes politike të Këshillave të Lartë në gjyqësor dhe prokurori.

Megjithatë, mungesa e opozitës nuk e ka penguar punën e mazhorancës.

“Procesi nuk cënohet, por do të ishte më mirë edhe për vet opozitën që të ishte e pranishme dhe të prezantonte argumentet që ka dhe të diskutonim për to”, tha Vasilika Hysi.

Komisioni ka në axhendën e punës edhe 3 ligje të tjera nga paketa e emergjencës për zbatimin e Reformës në Drejtësi, por opozita nuk do të marrë pjesë. Vendimi ende nuk është zyrtarizuar, megjithatë braktisja e komisionit është opsioni që mbizotëron te demokratët. Ata thonë se nuk mund të pranojnë të bëjnë rolin e “kukullës” në një komision, ku nuk iu pranohet asgjë thelbësore, por vetëm propozimet për përmirësimet teknike të ligjeve.

Deri tani ka vetëm një marrëveshje të arritur me ekspertët amerikanë për ligjin e organeve antikorrupsion, SPAK, por edhe kjo nuk rezulton një konsensus i plotë, sepse palët nuk kanë rënë dakord për formulimin përfundimtar, që ka të bëjë me ndikimin e dy organeve të qeverisë në emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sesi do të votojë opozita për SPAK-un, kjo do të vendoset këtë javë. Dhe bashkë me të, pritet të merret vendimi edhe nëse opozita do ta ankimojë apo jo ligjin e “vetting”-ut në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel