“Të vdesësh atje ku lind”; Rrëfehet i vëllai i të ndjerës Aida Çajka

20/09/2016 00:00

Vdekja e nënës shtatzënë dhe foshnjës së saj 41-javëshe në maternitetin “Koço Gliozheni” ka ngritur shumë pikëpyetje edhe për sistemin e urgjencës në Shqipëri. A mund të ishte shmangur kjo tragjedi? A kanë gabuar mjekët? Nëse po kush prej tyre?

I ftuar në Top Show, Fation Omuri, vëllai i Aida Çajkut që ndërroi jetë në spital bashkë me foshnjën e saj pak ditë më parë.

Ai ka rrëfyer se motra e tij kishte shkuar në këmbë në spital dhe ishte e pakuptimtë se si pa pasur një diagnozë të saktë Aida dërgohej nga një spital në tjetrin dhe i jepeshin edhe medikamente për atë që dyshonin, por që pas analizave rezultonte se nuk ishte ai problem.

“Të supozosh që në të majtë është vetëm zemra është si të thuash t’ia lësh topin tjetrit. Nëse ka hemoragji të brendshme nga ekografia dallohet. Duket sikur në fillim japin medikamentet pastaj nëse rezulton se nuk ka atë problem ia çojnë mjekut tjetër”, shprehet ai.

Gjithashtu Omuri vë theksin tek mungesa e empatisë tek mjekët me të cilët motra e tij shtatzënë kishte të bënte.Ai tregon se në një moment i është thënë se “I vogli iku, të mendojmë për të madhin”.

“Një foshnjë në muajin e 9 është një njeri. Ne i kishim menduar edhe emrin, Aurora”, shtoi Omuri.

Omuri ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë , Ilir Beqaj.

“Del edhe thotë se ka funksionuar sistemi. Çfarë ka sistemi ka funksionuar sipas këtij ministri. Në çdo spital transportin me barrelë e kemi bërë vetë. Si ka ndikuar ky transport në hemoragji?”, shton Fation Omuri.

Pjesë nga rrëfimi i Fation Omurit
Motra shkon në mënyrë vertikale në spital, pastaj ka bërë një kalvari të gjatë nga një spital në tjetrin.

Fillimisht motra ankohet se kishte një dhimbje në kraharorin e majtë. Kunati i saj e dërgon në spital, i është dashur që të pres se urgjenca ishte e mbyllur. Më është bërë  një ekografi ku i konfirmohej se fëmija ishte gjallë. Ishte apo jo për të lindur kjo është e diskutueshme.

Për shkak se kishte dhimbje në kraharorin e majtë, mjeku ka menduar se mund të ishte një problem kardiak, një diagnozë e gabuar. Të supozosh që në të majtë është vetëm zemra është si të thuash t’ia lësh topin tjetrit. Nëse ka hemoragji të brendshme nga ekografia dallohet.

E kam kërkuar ekografinë, por nuk e kam gjetur.

Kam vënë re tek të tre spitalet një mungesë empatie tek mjekët shqiptarë. Një mjek të thotë i vogli të ka vdekur të mendojmë për të madhin.
Pasi kemi shkuar në QSUT i është injektuar dopaminë. Pyetja ime është përse i është injektuar. Ende pa pasur një diagnozë i jepet dopaminë, pak më vonë konfirmuan se nuk ka probleme kardiake, mjekët u shprehën se mos ndoshta ka problem në mushkëri.

Duket sikur në fillim japin medikamentet pastaj nëse rezulton se nuk ka atë problem ia çojnë mjekut tjetër.

Kemi bërë një sërë analizash, dhe ato jo në spitalin publik, por në një privat. Pas një ore erdhën përgjigjet dhe e dërguam në Sanatorium.

Në Sanatorium pasi e panë që ishte shtatzanë, prija ishte “Çfarë do kjo këtu”. Atje jemi detyruar të bëjmë radiografi, pasi nuk na ishte stampuar.
Pasi u krahasuan analizat e gjakut lindi dyshimi për një hemoragji të brendshme. Në sanaturium më thanë se duhet ta çonim menjëherë në materinitet sërish në maternitet sepse duhej kohë për të organizuar një ndërhyrje kirurgjikale urgjence.

Pasi kthehemi te “Koço Gliozheni” rreth orës 04:00, dikush thotë se nuk kishte oksigjen për të bërë transportin nga ambulanca në reanimacion. Oksigjeni ishte në katin e 4, kalvari për të marrë oksigjenin dhe për ta çuar në sallën e reanimacionit u deshën 25 minuta.

Pasi hymë në sallën e reamiacionit i kërkoj të njëjtit mjek që e vizitoi në fillim ta shikonte,  më thotë se po telefononte një ekograf,  i them bëji një ekografi për të parë nëse ka hemoragji, ai më thotë se nuk di ta lexojë në detaje ekografinë. Ishte injëjti që na konfirmoi përmes ekografisë së parë se foshnja ishte gjallë.

Pas 1 ore u vendos që të futej në sallën e operacionit. U konstatua se fëmija është i vdekur dhe u forcua edhe dyshimi për hemoragjinë.
Pas disa momentesh në sallën e operacionit flas me mjekun dhe më thotë se ka një hemoragji shumë të madhe. E pyeta se çfarë po ndodhte më thotë se është çarë shpretka dhe më thonë se po presin një ekspert të shpretkës.

Top Channel