Guardiola “burgos” Yaya Toure

20/09/2016 00:00

Qëndrimi i Yaya Toure te Manchester City po bëhet më shumë se një çështje mediatike. Pasi futbollisti nga Bregu i Fildishtë u la jashtë listës së Champions League dhe me minutat e pakëta të aktivizimit në kampionat, reagoi manaxheri i tij, Dimitri Seluk, i cili kritikoi shumë ashpër vendimin e Guardiolës.

“Nëse do të fitojë këtë sezon Champions League, do të shkoj në Angli dhe do të pranoj publikisht që Guardiola është trajneri më i mirë në botë. Por, nëse nuk ia del, atëherë shpresoj që ai të ketë kurajo të pranojë se ka poshtëruar Toure”, tha Seluk.

Replika nga trajneri spanjoll sigurisht që nuk e ka qetësuar situatën: “Menaxheri i tij duhet të kërkojë falje, në të kundërt Toure nuk do të ketë më vend në këtë skuadër”, u shpreh Guardiola, që ndër të tjera ka bllokuar çdo tratativë për të kërkuar skuadër në janar.

Një situatë aspak e lehtë për mesfushorin, i cili sapo ka konfirmuar largimin nga kombëtarja e Bregut të Fildishtë nëpërmjet një letre të publikuar në faqen e tij të internetit.

Top Channel