Importi i lëndëve të riciklueshme, kalon projektligji

20/09/2016 00:00

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi ligjin për lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme në vend, me vota nga të dyja palët, megjithëse disa deputetë të opozitës abstenuan.

Nismëtari i ligjit, Eduart Shalsi tha se janë bërë ndryshime të rëndësishme nga propozimi fillestar. Kryesori është përcaktimi i qartë që mbetjet nuk do të përdoren për djegie. Do të ketë një listë të gjelbër që nuk përfshin mbetjet organike.

Sipas Shalsit, tashmë Shqipëria i ka kapacitet e duhura të kontrollit dhe do të përcaktohen vetëm 2-3 pika doganore për futjen e lëndëve të para për riciklim.

“Në Shqipëri importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit”, tha Shalsi.

Por, demokrati Genc Ruli i kujtoi mazhorancës se ndalimi i importit 3 vite më parë qe një politikë e gabuar e qeverisë Rama: “Këtë çoroditje e keni krijuar ju. Është dhurata që po na bëni tani”.

Mbetjet që do të lejohen për t’u importuar janë kryesisht ato të qelqit, aluminit, plastikës dhe skrapi i hekurit. Sipas relacionit të ligjit, një gjë e tillë do të ndihmojë përpunimin e mbetjeve në vend dhe do të mbështesë një industri që ka investuar qindra miliona euro dhe ka mijëra të punësuar.

Top Channel