Divorci i shekullit, Jolie ndahet nga Pitt

20/09/2016 00:00

Mund të konsiderohet edhe si divorci i shekullit, pasi bëhet fjalë për një ndër çiftet më të përfolura në Hollivud e në mbarë botën. Angelina Jolie ka dorëzuar letrat për divorc nga Brad Pitt.

Sipas një raportimi të “TMZ”-së, aktorja ka dorëzuar kërkesën për ndarje në gjykatë gjatë së hënës, duke cituar dallimet e papajtueshme si shkak të divorcit mes tyre, madje kërkon edhe kujdestarinë fizike ndaj 6 fëmijëve të tyre.

Çifti në fjalë nisi të frekuentohej prej vitit 2004, ndërsa u martuan në gusht të vitit 2014. Jolie, e cila përfaqësohet nga avokatja Laura Wasser, nuk ka kërkuar mbështetje bashkëshortore në procesin e divorcit. Wasser njihet për përfaqësimin që bëri së fundi të Johnny Depp në gjykatë, në procesin e ndarjes së tij nga këngëtarja Amber Heard.

Jolie e ka bërë publike edhe datën e ndarjes, duke përcaktuar 15 shtatorin e 2016-s si ditën, për të cilën duket se nuk do të pendohet, edhe pse ishin një nga çiftet më të dashura në sytë e të gjithë botës.

Dyshja e aktorëve nuk janë parë së bashku gjatë muajve të fundit, teksa u shfaqen vetëm në nëntor të 2015-s bashkë në një event që promovonte filmin “By the Sea”. Ky do të jetë divorci i tretë për Jolie, e cila ka qenë e martuar më herët me yllin e “Sherlock”, Johnny Lee Miller, si dhe Billy Bob Thornton.

Ndërsa martesa e parë e Pitt ka qenë me aktoren Jennifer Aniston, e cila përfundoi në vitin 2005, pikërisht për shkak se u zbulua marrëdhënia e tij me Jolie, të cilën e takoi gjatë punimeve për filmin “Mr. dhe Mrs. Smith”.

Top Channel