Fushata në SHBA, Trump rikthen çështjen e sigurisë për debat

20/09/2016 00:00

Gjashtë ditë përpara debatit të parë kyç mes kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump po përdor incidentet e kohëve të fundit për t’i kthyer në argument, sa i takon dy çështjeve ku ai mendon se qëndrimi i ashpër ofron përparësi: emigracioni dhe terrorizmi.

Sulmi fundjavës në Nju Jork, edhe pse nuk vrau njeri, e riktheu në mënyrë të pashmangshme frikën e terrorizmit në qendër të betejës së Trumpit me Hillary Clintonin.

Nga këndvështrimi i republikanit, hijet e reja të terrorit luajnë rol të drejtpërdrejtë në vizionin e një kombi nën rrethim. “Nuk mund ta lejojmë këtë të keqe të triumfojë”, tha miliarderi në Florida, pas kapjes së amerikanit me origjinë afgane, që dyshohet si vendosësi i bombave.

“Nëse zgjidhni Donald Trumpin, – vazhdoi manjati, – këto probleme do të zhduken”.

Por as rivalja e tij demokrate nuk ka qëndruar në heshtje pas sulmeve. Clinton i ka hyrë manovrave, duke e portretizuar veten si një lloj komandanteje tradicionale të Forcave të Armatosura, të hekurt e që ruan qetësinë në kohë krizash.

“Unë di ta bëj shumë mirë këtë punë”, tha ish-kryediplomatja në një konferencë për shtyp.

Incidentet në Nju Jork erdhën në një kohë tepër të ngarkuar, kur qindra udhëheqës botërorë dhe figura të larta janë mbledhur aty për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Top Channel