Denoncimi i “Fiks Fare”, pezullohen inspektorët e AKU-së

20/09/2016 00:00

Pas denoncimit të bërë në emisionin “Fiks Fare”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masën pezullim nga detyra për inspektorët e Drejtorisë Rajonale në Tiranë, Etrit Berisha dhe Indrit Korbi. Gjithashtu është ngritur Komisioni Disiplinor për fillimin e procedurave ligjore për largimin nga Shërbimi Civil, për të dy punonjësit.

Të dy keta inspektorë akuzohen për moszbatim të dispozitave ligjore, për rryshfet dhe shkelje të kodit të etikës.

Dy inspektorët në fjalë u denoncuan një natë më parë nga Fiks Fare, që paraqiti me pamje momentin kur inspektorët kërkonin para nën dorë në këmbim të dhënies së lejes për hapjen e një dyqani peshku në Kamëz.

“Pezullimi nga detyra i të dy inspektorëve është bërë për t’i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme nga organet kompetente. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vendosur për të dënuar çdo akt të shpërdorimit të detyrës nga punonjësit e vet, duke mostoleruar asnjë rast tentative abuzimi me detyrën apo abuzimi që cënon rëndë imazhin e instutucionit dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, thuhet në deklaratën e AKU.

Autoriteti u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet e abuzimit.

Top Channel