Teknologjia në zgjedhje, Rusmali: Shqipëria s’është gati për votim elektronik

20/09/2016 00:00

Shqipëria nuk është ende gati për votim elektronik. Për të shmangur rreziqet dhe pasigurinë se teknologjia mund të shndërrohet në rrezik për procesin, fillimisht kjo metodë duhet të planifikohet në disa nivele dhe të pilotohet në zona specifike.

Për ekspertin e Koalicionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, Ilir Rusmali, teknologjia nuk mund të shihet si zgjidhja e problemeve zgjedhore.

“Teknologjia konsiderohet mekanizmi që shpëton procesin nga manipulimi. Thirrja për futjen e teknologjive bëhet nga partitë për oportunitet politik. Dhe teknologjia futet gradualisht, ndërsa ne e duam sot në të gjithë territorin. Teknologjia duhet të na bëjë procesin, por nuk e bën dot sepse procesin e bëjnë njerëzit”, deklaroi Rusmali.

Për Rusmalin, ekziston edhe një frikë tjetër, ajo e largimit të zgjedhësit për shkak të votimit elektronik.

“Zgjedhësi do entuziazmohet nga mekanizmi i votimit me “touch screen”, apo do trembet? Zgjedhësi do të jetë i sigurtë se vota e tij do të shkojë atje ku ai do që të shkojë, apo do besojë fort se vota e tij do të devijojë rrugës? Ose ajo që do të dëgjojë përreth do të jetë një stimulim i fortë: ‘voto i lirë se teknologjia është e besueshme’, ose do të jetë një paralajmërim i fortë: ‘ti po voton, por unë do të ta kontrolloj votën’”, tha Rusmali.

Top Channel