“Rimi” shkon në luftë. Deputeti Spahiu futet në garë për kreun e LSI-së

20/09/2016 00:00

Brenda tre muajve deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu i provoi të treja: kundërshtimin, përjashtimin dhe rehabilitimin. Ai doli kundër qëndrimit zyrtar të partisë për reformën në drejtësi, u përjashtua nga partia dhe u rehabilitua.

Por, me rehabilitimin nuk mbaroi gjithçka. Ajo që përflitej prej disa ditësh në korridoret e partisë së tretë në vend, më në fund ndodhi. Njësoj si në qershor kur doli kundër rolit vendimmarrës të të huajve gjatë “vetting”-ut, deputeti Spahiu përdori Twitter-in për të lajmëruar një vendim të rëndësishëm.

“Vendosa sot të kandidoj për kryetar të LSI-së! Nuk mund të vazhdojmë më kështu, shumë gjëra duhet t’i ndryshojmë në bashkëqeverisjen!!!”

Kjo është hera e parë që një deputet i LSI-së përdor një gjuhë kaq direkte për të kritikuar koalicionin. Ose thënë ndryshe, mënyrën sesi kanë bashkëqeverisur Edi Rama me Ilir Metën. Top Channel mësoi se deputeti Spahiu ka ngritur një platformë për të nxjerrë në pah mangësitë dhe pakënaqësitë për funksionimin e bashkëqeverisjes. Kjo gjithashtu do jetë hera e parë që në LSI do të zyrtarizohet, si pasojë e kandidimit të Spahiut, edhe linja e pakënaqësisë në partinë e dytë të koalicionit, për koalicionin.

Por, sa mbështetës do të ketë brenda LSI-së linja kritike për bashkëqeverisjen? Përgjigja e kësaj pyetjeje i bën zgjedhjet në LSI shumë interesante, jo për LSI-në, por për vëzhguesit e vëmendshëm të tensioneve brenda mazhorancës. Rezultati i 6 nëntorit me përqindjen e të pakënaqurve mund të konsiderohet si fillimi i zgjidhjes së enigmës, nëse Edi Rama dhe Ilir Meta do të dalin sërish së bashku në zgjedhje.

Nëse të pakënaqurit nga bashkëqeverisja do të rezultojnë me përqindje të lartë, Ilir Meta mund ta përdorë atë si një kartë presioni. Historia e afërt e LSI-së, e ka treguar se pakica i ka dhënë drejtim koalicioneve.

Paradoksalisht, ishte vetë kryeministri që shtoi presionin ndaj Ilir Metës për të pasur një përgjigje për ftesën për të bashkëqeverisur edhe në vitin 2017. Sidomos pas Dibrës, kryeministri është shfaqur i sigurt.

Por, pas lëvizjes së deputetit të Dibrës, kjo gjendje mund të ndryshojë.

Top Channel