Panik në Venezuele, grabitet autobusi i Truijllanos

20/09/2016 00:00

Skuadra venezueliane e futbollit, Trujillanos përjetoi momente tmerri. 6 persona të armatosur bllokuan autobusin e kësaj skuadre duke i grabitur të gjithë futbollistët dhe stafin teknik që ishte në të si dhe duke i kërcënuar se do të hidhnin në erë me granata mjetin me të cilin po udhëtonin.

Gjithçka ndodhi në momentin kur skuadra po kthehej nga Monagas pas humbjes së pësuar në sfidën e së dielës. Personat e armatosur e bllokuan autobusin pranë zonës Boca de Uchire në Anzoategui.

“Skuadra u bllokua për rreth 2 orë e 35 minuta”, lexohet në një komunikatë të klubit amerikanolatin. “Personat e armatosur kërcënuan se do të shpërthenin autobusin me granata nëse do të aktivizohej GPS e nëse do të kishte një eskortë”.

Për fat të mirë askush nuk u lëndua nga ky sulm dhe të gjithë pjesëtarët e kësaj skuadre shpëtuan. Me t’u kthyer në seli, drejtuesit e Trujillanos dënuan këto akte vandalizmi që po e tronditin shpesh futbollin venezuelian dhe nuk ngurruan të publikojnë fotot me futbollistët që kishin mbetur pa këpucë e gjysmë të zhveshur përkrah autobusit të sulmuar.

Top Channel