Tiranë, përfundojnë punimet tek ish-ATSH; Veliaj falenderon punëtorët

20/09/2016 00:00

Një tjetër bllok i rikualifikuar banimi, në rrugën “Fadil Rada”, i është shtuar Tiranës. Tetë mijë banorë pranë zonës që njihet si ish-ATSH-ja, tashmë kanë ambiente çlodhëse, lulishte, një kënd lojërash për fëmijët dhe transformim të plotë të infrastrukturës rrugore e nëntokësore.

Ky bllok banimi është pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës për transformimin e rreth 50 lagjeve të qytetit. Pasi inspektoi punën e kryer, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu falenderimin e tij për punonjësit e bashkisë, të cilët e përfunduan projektin vetëm në 8 javë punë.

“Faleminderit punëtorve tanë duarartë, të cilët në një kohë rekord e kthyen këtë zonë nga një kazan i madh mbeturinash e balte, mu në mes të Tiranës, në një lagje që dallon si dita me natën nga çfarë ishte më parë. Ky është një nga investimet që bashkia e ka bërë vetëm me fuqinë e vetë punëtore, çka tregon se më në fund e kemi kthyer besimin në institucionet publike”, tha Veliaj.

Ai shtoi se, pikërisht puna e kryer në këtë bllok banimi tregon qartë se kur ka vullnet, edhe me mundësi të reduktuara mund të bëhen punë shumë të mira.

Top Channel