Gënjeu për të shpëtuar djalin, në pranga babai dhe dy 19 vjeçarë

20/09/2016 00:00

Policia arrestoi dy 19-vjeçare, banues në Fier si shkaktarë të aksidentit me pasojë vdekjen e një 68-vjeçari ditën e djeshme në rrugën Plepa-Rrogozhine.

Marsel Sadiku dhe Panajot Isai ishin duke udhëtuar me mjetin “Mercedes Benz”, me targa AA 250 KG kur aksidentuan për vdekje një 68 vjeçar nga Kavaja. Pas goditjes fatale ata nuk e kanë ndaluar mjetin, por janë larguar me shpejtësi. Kanë ecur më tej e më pas kanë braktisur mjetin në rrugë. Policia i gjeti pas disa orë kërkimesh.

Por arrestimet nuk përfunduan vetëm me dy 19 vjeçarët, pasi në pranga ra edhe Artijan Isaj, babi i njërit prej 19 vjeçarëve, për kallëzim të rremë për të fshur provat e krimit.

Policia e Fierit bëri të ditur se ditën e hënë, rreth orës 13:00 shtetasi Artijan Isaj është paraqitur në Komisariatin e Policisë dhe ka bërë kallëzim penal për vjedhjen e makinës së tij tip “Mercedes Benz” me targa AA 250 KG, e cila u përfshi në aksident. Makinën e këtij shtetasi e kishte marrë djali i tij.

Nga hetimet e është provuar se shtetasi Artijan Isaj kishte dijeni për veprimet e mësipërme dhe me qëllim e keqdashje ka bërë kallëzim për të fshehur provat e krimit.

Top Channel