Vdekja e 35-vjeçares, gjykata liron mjekët; cakton detyrim paraqitje

20/09/2016 00:00

Dhjetëra mjekë dhe infermierë të maternitetit “Koço Gliozheni” kanë pritur për më shumë se dy orë në oborrin e Gjykatës së Tiranës për dhënien e masës së sigurisë ndaj dy kolegëve të tyre.

Mjekët Dritan Deçka dhe Elidon Klosi, të ndaluar dy ditë më parë, akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” në dëm të shtetases Aida Çajku, që ndërroi jetë teksa ishte në muajin e nëntë të shtatëzënisë.

Prokuroria, ashtu siç kishte paralajmëruar i kërkoi gjykatës që ndalimi i tyre të cilësohej i ligjshëm dhe të mbaheshin në paraburgim për të paktën 45 ditë.

Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas prokurorisë, ekspertiza mjekoligjore do të zbardhë shkaqet e vërteta të vdekjes së 35-vjeçares Çajku dhe foshnjës së saj.

Por gjyqtari Altin Shkurti e pranoi pjesërisht kërkesën e akuzës. Ai vlerësoi të ligjshëm ndalimin e mjekëve, por nuk pranoi paraburimin e tyre me 45 ditë, duke vendosur si masë sigurie “detyrim për t’u paraqitur” pranë organit procedues.

Pas këtij vendimi, mjekët Elidon Klosi dhe Dritan Deçka, jo vetëm që rifituan lirinë, por mund të rikthehen sërish në detyrat e tyre pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, të paktën deri në daljen e rezultateve të ekspertizës mjekoligjore.

Top Channel