Vlerësohet Hollande, çmim për arritjet si lider shteti

20/09/2016 00:00

François Hollande u vlerësua me “World Statesman Award” për arritjet si kryetar shteti. Ceremonia u zhvillua në hotelin e famshëm “Waldorf Astoria” në Nju Jork.

Çmimi jepet çdo vit nga fondacioni “Thirrja e ndërgjegjies”, një koalicion liderësh fetarë e biznesesh për të promovuar paqen, tolerancën dhe zgjidhjen e konflikteve etnike. Presidentit francez ju dha çmimi nga Rabini Artur Shneier, i cili themeloi organizatën në 1965-n. Në një deklaratë thuhej se Hollande u zgjodh për lidershipin e tij në mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë në një kohë sulmesh terroriste dhe për kontributin e dhënë për stabilitetin e sigurinë globale. Kreu i Elizesë theksoi ngjashmëritë mes Francës dhe SHBA-ve.

“Duke ma dhënë mua këtë çmim ju po nderoni Francën, vendin që mbron të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Gjithashtu po nderoni një Francë që po vuan, atë që është shënjestruar nga terroristët pasi përqafon një mënyrë jetese, një kulturë dhe një ide që i përket jo vetëm Francës por edhe botës, idenë e progresit e lirisë. Kjo ide është familjare edhe këtu në Amerikë”, u shpreh Hollande.

Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Henry Kissinger ishte i pranishëm në ceremoni dhe vlerësoi Hollande-n për rolin e fuqishëm në luftimin e terrorizmit në Europe dhe për “Brexit”. Presidenti francez gjendet në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e 71 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që nis të martën. Mbi 230 persona janë vrarë në sulme terroriste në Francë që prej fillimit të 2015-s.

Top Channel