Programi për bujqësinë, Rama në Gramsh: Epokë e re ndryshimi

20/09/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të martë në Gramsh, në një bashkëbisedim me fermerët në fshatin Mashan, për të prezantuar pikat kryesore të programit për bujqësinë, që në fokus ka familjen fermere, si motorin e zhvillimit të fshatit. Kreu i qeverisë i ka ftuar ata të përfitojnë sa më shumë nga fondet në bujqësi.

“Familja fermere duhet të jetë njësoj si një biznes i vogël në qytet. Një familje fermere duhet të prodhojë të ardhura. Kjo është hapja e një epoke të re, ku do të shihen frytet e një ndryshimi historik. Njerëzit në fshat të mos rrijnë të presin, por të sigurojnë pronën e tyre. Ne po hapim jo kanale vaditëse, por rrugë zhvillimi”, deklaroi Rama.

Shqetësimeve të banorëve për mungesën e ujit të pijshëm, por edhe sa i takon infrastkturës, kryeministri iu përgjigj përmes batutave, duke kërkuar edhe pak kohë.

“Më thoni të vij sa herë të doni, se vij. Por rrugë dhe investime mos më kërkoni tani, se nuk kemi ku t’i gjejmë lekët që t’i bëjmë direkt. Do t’i bëjmë me radhë. Sa fëmijë ke? 3? I bëre përnjëherë apo me radhë? Një e nga një? Epo edhe ne me radhë do t’i bëjmë gjërat”, tha Rama.
Më tej, kryeministri i bëri thirrje të rinjve në fshat të mos largohen nga Shqipëria, por të fokusohen në arsimin profesional.

Top Channel