Sulmi ndaj autokolonës me ndihma në Siri, Uashingtoni paralajmëron Moskën

20/09/2016 00:00

Qeveria amerikane shprehu zemërimin për sulmin kundër një autokolone me ndihma pranë qytetit sirian të Alepos, që sipas grupeve vëzhguese la të vdekur 12 persona.

OKB konfirmoi se autokolona u godit pranë qytetit të Urm Al Kubra pa dhënë detaje të mëtejshme. Por, sipas aktivisteve, sulmi ajror shënjestroi kamionët disa orë pasi ushtria njoftoi dështimin e armëpushimit.

Ndërkohë, Uashingtoni paralajmëron Moskën, duke thënë se do të rivlerësojë perspektivën e një bashkëpunimi në të ardhmen.

“Destinacioni i kamionëve dihej nga regjimi sirian dhe federata ruse, por prapë vullnetarët u vranë në përpjekjen për të ndihmuar popullin sirian”, ishin fjalët e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër bëri të ditur se pas sulmeve qëndronin avionët sirianë ose rusë, ndërsa Damasku ende nuk ka reaguar.

Sipas grupit, mes viktimave përfshiheshin vullnetarë të “Gjysmëhënës së kuqe” dhe shoferë. Përfaqësuesi i OKB-së, Stefen Obrian tha se ai që e quajti një sulm të pashpirt mund të përbëjë krim lufte.

Të paktën 18 prej 31 kamionëve që ishin pjesë e autokolonës me ndihma u goditen siç bëri të ditur një zëdhënës i OKB. Aty gjendeshin ndihma për rreth 78 mijë persona në nevojë. Sulmi sinjalizoi dështimin e përpjekjeve të fundit nga SHBA dhe Rusia për të ndalur dhunën në Siri, me ushtrinë që deklaroi dështimin e armëpushimit.

Top Channel