Sulmet terroriste; Franca kujton viktimat

20/09/2016 00:00

Një ceremoni përkujtimore për viktimat e sulmeve terroriste u mbajt në Paris, ndërsa Franca vazhdon të jetë në gjendje emergjence.

Emrat e viktimave të sulmeve të kryera nga militantët islamistë vitin e kaluar ne Paris dhe në muajin korrik në Nice u lexuan gjatë ceremonisë së të hënës në prani të politikaneve, ku u kujtuan gjithashtu edhe të vrarët në sulmet e Brukselit, Burkina Fasos, Bregut të Fildishtë dhe Malit.

Në aktivitetin e organizuar nga shoqatat e viktimave morën pjesë qindra familjarë e persona të plagosur në sulme.

Presidenti, Fransua Hollande theksoi rëndësinë e ceremonisë: “Vendi ynë nuk ishte sulmuar kurrë kaq rëndë, me një furi të tillë shkatërruese, me një mizori kaq barbare. Prandaj është e rëndësishme që të dëgjohen emrat e 230 viktimave të shkaktuara nga sulmet terroriste që prej 19 shtatorit të vitit 2015, në Francë e përtej kufijve.”

 
Ndërsa premtoi mbështetje e mbrojtje për të mbijetuarit e familjaret e viktimave ai tha se nevojiteshin më shumë përpjekje për të luftuar terrorizmin. Sulmet e 13 nëntorit në Paris u kushtuan jetën 130 personave, kurse ai i Nicës që u ndërmor nga një ekstremist islamist që përplasi me kamion turmën që po festonte ditën e Bastijës la të vdekur 86 persona.

Yasmine Marzouk, një myslimane që i mbijetoi sulmit të Nicës e që humbi 3 pjesëtarë të familjes në tragjedi i bëri thirrje presidentit dhe pasardhësve të tij të ndalin terrorin, në mënyrë që siç tha flakët e urrejtjes të mos përhapeshin më mes komuniteteve të ndryshme fetare. Në ceremoni morën pjesë edhe ish-Presidenti Nikolas Sarkozi dhe ish-kryeministri Alain Juppe.

Top Channel