Mbyllen lojërat paraolimpike; Pas 4 vitesh në Tokio

20/09/2016 00:00

Nën tinguj e muzikës braziliane dhe madhështinë e stadiumit Maracana i është dhënë fund lojërave paraolimpike Rio 2016.

Kryetari i bashkisë së Rio Eduard Paes ia dorëzoi flamurin kryebashkiakes se Tokyos Yuriko Koike, atje ku në 2020 do të zhvillohen këto lojëra. 
Në ceremonisë e mbylljes së këtij aktiviteti është mbajtur 1 minutë heshtje për nder të ciklistit iranian Bahman Golbarnezhad, i cili ndërroi jetë 1 ditë më parë pas një aksidenti në garë.

Ndërkohë gjatë ditës së dielë, kinezja Zou Lihong mposhti me foto-finish amerikanen Tatyana McFadden në garën e maratonës dhe mori medaljen e artë në këtë disiplinë.

Kombëtarja iraniane për meshkuj në volejbollin e ulur mposhti Bosnien dhe u shpall kampione duke ia dedikuar këtë fitore bashkëkombësit të tyre Golbarnezhad i cili ndërroi jetë 1 ditë më parë. Irani vazhdon ta dominojë këtë sport dhe në 8 finalet e fundit ka arritur të marrë 6 medalje ari.

Në fund të këtyre lojërave paraolimpike, Kina është vendi që ka grumbulluar më shumë medalje. Sportistët kinez kanë fituar  107 medalje ari nga 239 gjithsej, duke lënë me shumë diferencë pas vetes Britaninë e madhe e cila mblodhi 64 ari dhe 147 në total. Surpriza e këtyre lojërave ishte Ukraina e cila zuri vendin e tretë duke zbritur Amerikën në vendin e 4.

Top Channel