Rosberg apo Hamilton, finalja elektrizuese e sezonit

19/09/2016 00:00

Një dialog mes pilotëve të Mercedes për sezonin e tretë do të jetë edhe ai që do të vendosë titullin kampion në Formula 1, betejë e nisur nga gara e parë e që vazhdon me ritmet e një skenari thriller në ndalesat anembanë planetit. Mijëra tifozët të botës spektakolare të garave me makina pyesin veten nëse në fron do të rikonfirmohet Hamilton apo britaniku do të detyrohet jo pa polemika ti dorëzojë skeptrin shokut të tij te Mercedes.

3 gara më parë dukej si Hamilton do të arratisej me titullin pas një paraqitjeje elektrizuese por që prej pauzës së pushimeve verore, Rosberg u duk sikur fitoi një ‘jackpot’ me suksesin e fundit në Singapor që i dha rokadën e shumëdëshiruar. Por asgjë nuk është finale.

Mbeten edhe 6 etapa deri në epilogun e kalendarit dhe është e vështirë të kuptohet se kush ka avantazhin mes pilotëve të skuadrës gjermane. 43 pikët diferencë të Hamilton duken tashmë një përjetësi pasi fati i keq, gabimet apo strategjia aspak e qëlluar e kanë penalizuar britanikun.

8 pikë është diferenca aktuale në favor të Niko Rosberg e kjo ishte diçka e madhe njëherë e një kohë në Formula 1. Por nëse më parë jepeshin 10 pikë për një sukses, nga viti 2010 ka ndryshuar gjithçka në format. Në një skenar pozitiv për pilotin me ngjyrë, nëse Lewis kryeson një fitore dyshe të Mercedes në Malajzi, do të jetë vetëm 1 pikë pas gjermanit.

Shanset e pilotëev të tjerë për të hyrë mes protagonistëve të Mercedes janë minimale. Skuadra gjermane ka fituar 14 nga 15 gara të zhvilluara dhe vetëm një tragjedi mund ti heqë titujt nga duart. Ka nga ata ekspertë që thonë se Rosberg po endet në një territor të pashkelur për të por statistikat thonë se në 2014, gjermani kryesonte me 22 pikë para se të pësonte kolaps në 6 garat e fundit. Ekuacionet kanë nisur të komplikohen më shumë dhe do të duhet ndoshta gara e fundit për kampionin e ri të Formula 1.

Top Channel