Gomonia e kapur në Brindisi, Guardia di Finanza: U njoftuam nga pala shqiptare

19/09/2016 00:00

Një gomone 8.5 metra e gjatë, me dy motorë, me 31 pako të mëdha me lëndë narkotike, u gjet e braktisur në orët e para të mëngjesit të së hënës në brigjet e Barit. Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza ndoqën gomonen nga Mifoli deri në Brindizi, ndërsa 3 personat që ndodheshin në të mundën të largohen.

Guardia di Finanza lëshoi një komunikatë për mediat, të siguruar nga Top Channel, lidhur me rastin në fjalë ku theksohet bashkëpunimi me policinë shqiptare në këtë operacion për kapjen e gomones me lëndë narkotike.

Në komunikatë thuhet se Guardia di Finanza e vendosur në Durrës ka nisur operacionin menjëherë pak pas mesnate pas marrjes së njoftimit nga policia shqiptare. Ndërsa rreth orës 04:30 gomonia është gjetur e braktisur pranë brigjeve të Brindisit.

Guardia di Finanza bën të ditur në komunikatë se në gomone u gjetën 31 pako me marjuanë dhe me një peshë prej 682 kg, e cila ka një vlerë prej 7 milionë eurosh.

***

Por ky nuk ishte i vetmi operacion antidrogë, i zhvilluar në Itali, ku objektiv ishin shqiptarët. Në fshatin Matera, në provincën e Tarantos, Policia italiane ka arrestuar dy shqiptare, Gabriele Gjika 27 vjeç dhe Lamberti Dinaj 19 vjeç, pasi ata kishin mbjelle një plantacion të tërë me kanabis. Sipas mediave italiane, janë sekuestruar rreth 4 000 rrënjë kanabis, vlera e të cilave do të arrinte në miliona euro, nëse dilnin në treg. Në momentin e arrestimit, dy shqiptarët kanë qenë duke prerë dhe vendosur në thasë disa nga bimët e kanabisit. Nga ana e saj, Policia Italiane është duke vijuar hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjetë të kultivimit të lëndëve narkotike.

Top Channel