Ligji i plehrave kalon në komision, por Vasili kundër

19/09/2016 00:00

Tre vjet më parë, kur sapo kishte marrë votëbesimin në Parlament si kryeministër, Edi Rama firmosi publikisht ndalimin e importit të mbetjeve. Ky ishte ligji i parë që kryeministri Rama firmosi, si një nga premtimet kryesorë të fushatës së tij elektorale.

Pas tre vjetësh situata ka ndryshuar dhe Edi Ramës i duhet të votojë në Parlament ndryshimin e ligjit të parë të qeverisë së tij. Eduard Shalsi ka bindur grupin parlamentar se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria të importojë disa mbetje jo të rrezikshme, jetike për vazhdimësinë e industrisë së përpunimit të mbetjeve.  Një industri që ka investuar 120 milionë euro dhe punëson rreth 35 mijë punëtorë.

“Sot, grupi ka një draft që pasqyron që kanë pasur jo vetëm anëtarë të nderuar të grupit parlamentar, por edhe deputetë të tjerë. Unë mendoj se sot është paraqitur një draft akoma më të mirë se ai që është propozuar dy apo tre vjet më parë”, shprehet Eduard Shalsi, kryetar i komisionit të veprimtarive prodhuese.

Tre vjet më parë, qeveria “Rama” ndaloi importin e të gjitha mbetjeve me arsyetimin se Shqipëria nuk ishte në gjendje të kontrollonte, nëse në territorin e saj mund të hynin ose jo mbetje të rrezikshme.

Tani, sipas nismëtarëve, Shqipëria ka kontrollin e nevojshëm doganor dhe kapacitetet e duhura laboratorike për të mundësuar importin e disa mbetjeve si plastike apo karton. Që pas vendimit të qeverisë, industria e riciklimit punon me 30 përqind të kapaciteteve të saj.

Top Channel