Eja, mblidhuni… në Tiranë. Qeveria fton diasporën: Kontribuoni për vendin tuaj

19/09/2016 00:00

Nga data 18 deri në 20 nëntor, në Tiranë do të organizohet Samiti i Diasporës shqiptare, i cili organizohet nga qeveria dhe ka si qëllim që të mbledhë çdo individ që bën pjesë në Diasporën shqiptare e që ka dëshirë të angazhohet në vendin e origjinës së tij.

Gjatë 3 ditëve të gjithë pjesëmarrësit, do të kenë hapësirë për të biseduar me autoritetet publike, sipërmarrjen private, ente të ndryshme publike dhe jo publike për të gjetur mundësinë për t’u përfshirë në çdo fushë ku mund të gëzojnë eksperiencë.

Një mesazh për Samitin dha kreu i qeverisë Edi Rama, që ftoi të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë larg atdheut, për t’u bërë pjesë e tij.

“Besoj se do të na ndihmojë të diskutojmë dhe të gjejmë rrugët dhe mënyrat se si mund të vihemi më mirë në shërbim të gjithçkaje që na bashkon”, tha Kryeministri Rama.

Çdokush që ka dëshirë të bëhet pjesë e tij mund të regjistrohet në portalin e krijuar posaçërisht për këtë event në faqen samitidiaspores.al.

Top Channel