Vdekja e të arrestuarit, familjarët: Policia e dhunoi

19/09/2016 00:00

Në Grabian të Divjakës është përcjellë në banesën e fundit 53-vjeçarin Fadil Hoxha, i cili humbi jetën në spital pas komplikacioneve në zemër. Familjarët e tij thonë se do bëjnë padi ndaj policisë me akuzën e dhunimit fizik. Fadil Hoxha u ndalua nga policia për vjedhje, por në dhomat e paraburgimit në Lushnje, shfaqi probleme shëndetësore.

“Çështjen do ta çojmë në Prokurorinë e Përgjithshme. Pse duhet të qëllohej vëllai. Kaq kriminel ishte ai?”, shprehet vëllai i viktimës.

Policia njofton se 53 vjeçari kishte me vete ilaçet të cilat i ka përdorur. Pas problemeve shëndetësore, tensionit shumë të lartë është dërguar në spitalin e Lushnjes. Drejtuesja e spitalit tregon procedure që u ndoq dhe se i sëmuri është nisur në Tiranë për shkak se rasti nuk mund të trajtohej në Lushnje.

“Pacienti është dërguar me ambulancën e spitalit të Lushnjes, i cili është nisur në orën 13:30 nga spitali. Gjatë rrugës ka pasur një dhimbje të kraharorit dhe ka ndërhyrë ekipi mjekësor, duke i dhënë medikamentet. Në momentin që pacienti është ekzaminuar në komisariat ai ishte me tension 22 me 12”, shprehet drejtoresha e spitalit të Lushnjes.

Pas mbërritjes në Tiranë në Spitalin “Nënë Tereza” në orën 18:10 minuta, 53-vjeçari humbi jetën në këtë spital për shkak të komplikacioneve të rënda nga zemra.

Top Channel