Hetimet për avionin, Prokuroria në pritje të përgjigjeve nga kompanitë celulare

19/09/2016 00:00

Pesë ditë nga rrëzimi i avionit “Piper” në grykëderdhjen e Ishmit, Prokuroria është ende në pritje të përgjigjeve që duhet t’i dorëzohen nga kompanitë celulare, por edhe nga autoriteti i Aviacionit Civil, për të konfirmuar me prova shkresore deklaratat e pilotit Guido Andrea Guidi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se nuk i beson plotësisht pilotit Guidi për sa kohë pret të konfirmojë nëse është e vërtetë që ai ka folur në telefon vetëm me familjarët e tij, apo ka komunikuar edhe me persona të tjerë në Shqipëri.

Grupi i hetimit pret përgjigje edhe nga zyra e incidenteve ajrore për të përcaktuar shkaqet e dëmtimit të avionit si dhe nga kapitaneria e Durrësit, e cila duhet te konfirmojë nëse në orët e para të së enjtes ka patur apo jo në qarkullim mjete lundruese në atë zonë.

Ndërkohë nuk ka të dhëna konkrete se cilët janë pronarët e vërtetë të truallit ku u ul avioni për shkak se pronarët e saj i përkasin disa familjeve dhe ajo ende nuk ishte ndarë me dokumentacionin përkatës.

Edhe pse policia raporton orën 08:45 si kohën e uljes së avionit, deri më tani të dhënat janë konfuze për Prokurorinë, e cila i referohet dëshmisë së pilotit që është shprehur se është nisur në orën 06:00 të mëngjesit të së enjtes nga Bari.

Top Channel