Pronat, kompanitë e sigurimeve: Të sigurohen detyrimisht me ligj

19/09/2016 00:00

Shqipëria është vendi i fundit në Europë dhe rajon përsa i përket sigurimit të pronave nga përmbytjet, zjarri dhe tërmetet. Për industrinë e sigurimeve, ka ardhur koha që sigurimi i pronave, biznese apo shtëpi të bëhet i detyrueshëm me ligj, siç ishte në mjaft shtete.

Sipas kompanive, pasi vetëm kështu dëmet në ekonomi do të përballoheshin. Rastet e përmbytjeve të fundit në Ksamil apo në Durrës, ku shumë biznese u dëmtuan, sjell në vëmendje nevojën e rregullimit me ligj të ri të sigurimit të pronave.

“Që nesër pasnesër në çdolloj fatkeqësie të mos i drejtohen më Qeverisë për të bërë dëmshpërblimet, por të shkojnë dhe t’u drejtohen kompanive të sigurimit”, thotë Kadri Morina, President i Eurosig.

Sigurimi i detyrueshëm i pronave do të rëndonte mbi xhepat qytetarëve, por sipas kompanive të sigurimit këto para nuk përdoren kurrë jashtë destinacionit të tyre, por vetëm për zhdëmtimin e qytetarëve të prekur.

“Sigurimi nuk është një taksë që duhet ta paguash për të rregulluar një rrugë, ujësjellësin apo administratën civile. Është një bonus që e merr mbrapsht. Je i sigurtë për shtëpinë tënde edhe nëse të digjet një dhomë, të përmbytet një dhomë apo një biznes”, thotë Morina.

Por a i kanë kapacitetet kompanitë shqiptare për të përballuar dëme masive?

“Kompanitë e sigurimeve janë të afta të përnballojnë çdolloj rreziku pasi industria e sigurimit merr përsipër aq kapital sa ka dhe kapitalin tjetër e transferon jashtë në risigurim”, sqaron Morina. 

Aktualisht në Shqipëri është i detyrueshëm vetëm sigurimi i automjeteve, duke bërë që ky segment i tregut të jetë dominues në krahasim me sigurimin pronave.

Top Channel