Prezenca e OSBE-së bën thirrje për reformë zgjedhore

19/09/2016 00:00

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar këtë të hënë pas përfundimit të afatit për ankime lidhur me zgjedhjet e 11 shtatorit për kryetarin e bashkisë së Dibrës me anë të kryetarit në detyrë të saj, Robert Wilton.

Në deklaratë i bëhet thirrje partive politike që duhet të  marrin më seriozisht menaxhimin profesional të zgjedhjeve.

“Ne ndajmë fuqimisht të njëjtin shqetësim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zëvendësimin e mbi 98 për qind të komisionerëve të qendrave të votimit, një ditë përpara zgjedhjeve. Prezenca vijon të sugjerojë që partitë politike të Shqipërisë duhet ta marrin më seriozisht menaxhimin profesional të zgjedhjeve, në mënyrë që sistemi të jetë i besueshëm. Procesi zgjedhor në Dibër është një tjetër tregues i nevojës për një reformë zgjedhore tërësore, e cila do të siguronte, veç të tjerave, depolitizimin e organeve të administrimit të zgjedhjeve, si dhe barazinë gjinore në përfaqësimin politik dhe në komisionet zgjedhore”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Robert Wilton.

Më tej në deklaratë theksohet nevoja e bërjes sa më parë të reformës zgjedhore, ndërsa ofrohet edhe mbështetje teknike dhe ekspertizë për bërjen e reformës.

“Ne i nxitim autoritetet dhe partitë politike shqiptare të nisin, pa humbur kohë, këtë proces shumë të rëndësishëm dhe ta përfundojnë atë në kohë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Mbështetur në bisedat me palët, Prezenca është përgatitur tashmë të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për reformën zgjedhore, sapo Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të fillojë punën”, përfundon deklarata e Prezencës së OSBE-së në Shqipëria.

Top Channel